BERZH financon ndërtimin e një shkollë profesionale në Shqipëri, jep mijëra euro

219

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në një deklaratë të fundit ka theksuar mbështetjen për një shkollë profesionale në Shqipëri, që pritet të hapet së shpejti. Bëhet fjalë për shkollën në Patos të Fierit, për të cilën BERZH po kërkon një konsulent për të ofruar mbështetje për kompaninë shqiptare të prodhimit të metaleve APM Ëelding Academy, e cila do të hapë këtë shkollë.

“Caktimi pritet të fillojë në shkurt 2019 dhe të kryhet brenda një kohëzgjatjeje të përgjithshme prej 15-18 muajsh,” tha BERZH në një njoftim për shtyp.

Kostoja e vlerësuar e mbështetjes është deri në 75,000 euro (85,046 $), pa përfshirë TVSH, me kontratën që do të financohet nga Fondet e Bashkëpunimit Teknik të Japonisë dhe BERZH-it.

Konsulenti, në rastin konkret, mendohet se do të ndihmojë APM-në të krijojë shkollën e vet profesionale që ofron kualifikime të saldimit, të mësuarit në punë dhe mundësitë e punësimit tek të rinjtë në të gjithë zonën e tyre lokale. Kjo shihet si një mundësi e mirë e zhvillimit ekonomik të zonës.

Objektivat kryesore të konsulencës janë, sipas BERZH: zhvillimi i materialeve të nevojshme të trajnimit dhe të mësimit që duhet të ofrohen nëpërmjet akademisë së re të saldimit (shkolla do të jetë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare); të trajnojë një grup fillestar të trajnerëve dhe të organizojë dhe të vëzhgojë vitin e parë të ofrimit të programit të trajnimit; si dhe të zhvillojë një plan lokal për të tërhequr të rinjtë në program.

BERZH shtoi gjithashtu, se së fundmi ka rënë dakord të mbështesë një kredi për APM, një prodhues i metaleve të fabrikuara të themeluar në janar 2012 dhe që operon në qytetin jugperëndimor të Patos.