BERZH financon rrugën e bregdetit nga Shëngjini në Velipojë dhe dy segmente të tjera

59

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Ministria e Financave ranë dakord për një kredi me vlerë 50 milionë euro që do të përdoret për ndërtimin apo përmirësimin e tre segmenteve rrugore me gjatësi të përgjithshme prej 70 kilometrash, bëri të ditur BERZh në një njoftim për shtyp.

Segmenti i parë që pritet të ndërtohet është 13 kilometra i gjatë dhe pritet të lidhë qytetin e Shëngjinit me vendin e quajtur Bregu i Rrjollit pranë Velipojës, me gjurmë përgjatë Malit të Rencit, një zonë bregdetare shkëmbore në Shqipërinë e veriut. Projekti pritet të ndihmojë zhvillimin e turizmit në zonë si dhe të shkurtojë distancën nga Tirana për në Velipojë në krahasim me rrugën aktuale që kalon nga Shkodra.

Segmenti i dytë i financuar nga kredia pritet të përmirësojë segmentin rrugor Vlorë-Orikum, me gjatësi 10.6 kilometra dhe përfshin krijimin e një korsie këmbësorësh dhe biçikletash mbi rrugën ekzistuese.

Këto dy segmente sëbashku pritet të kushtojnë 40 milionë dollarë.

Segmenti i tretë synon të lidhë fshatin Zgosht pranë Librazhdit me segmentin rrugor Tiranë-Dibër, duke përshkruar zonat malore të Shqipërisë lindore. Ky segment pritet të jetë 47 kilometra i gjatë. Ky është segmenti për të cilin BERZH ka angazhuar 10 milionë dollarë kredi.