Biblioteka Kombëtare dhuron 128 tituj librash e revistash

0

Në kuadër të nismës së Bibliotekës Kombëtare dhe Ministrisë së Kulturës për të pasuruar fondet e bibliotekave të sistemit kombëtar, si dhe të Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës të Autorit, Biblioteka Kombëtare i dhuroi bibliotekës së Fakultetit Historisë dhe të Filologjisë 128 tituj librash e revistash me vlerë albanologjike.

Librat e dhuruar, nga të cilët BKSH disponon disa kopje, ishin botuar në: Korçë, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Athinë, Bukuresht, Sofje, Selanik, Boston, Madrid, Romë, Palermo, Vjenë, Firence etj.

Në ceremoninë e dhurimit ishin të pranishëm zëvendësrektorja e Universitetit të Tiranës, prof. Anila Paparisto, dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë (UT), prof. Sabri Laçi, zëvendësdekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë (UT), prof. Dhurata Shehri, përgjegjësja e Katedrës së Letërsisë, prof. Persida Asllani, pedagogë, studentë etj.

Prof. Asllani falënderoi Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe drejtorin e saj Piro Misha për dhuratën e çmuar që pasuron fondin e vyer albanologjik të bibliotekës, i cili u shërben pedagogëve, studiuesve, studentëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Piro Misha shprehu kënaqësinë e veçantë që ndien për këtë dhurim, për faktin që është një koleksion i vyer në ndihmë të procesit mësimor, si dhe kërkimit shkencor, duke garantuar edhe mbështetjen e institucionit që ai drejton për komunitetin akademik dhe studentor në përmbushje të hulumtimeve të tyre.

Një falënderim i veçantë erdhi edhe nga dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë (UT), prof. Sabri Laçi, i cili e vlerësoi Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si qendër dijeje e kulture për të gjithë, si institucion në shërbim të të gjithëve.

/ata.gov.al