Biblioteka Kombëtare dixhitalizim të mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh dhe antikuarësh

11

Falë punës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përgjatë gjithë muajve të izolimit si pasojë e COVID-19 është arritur realizimi i një faqeje të re online dhe dixhitalizimi i mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh.

Ky revolucion dixhital finalizohet pikërisht në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.

Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej  6000 vëllimesh. Sot  koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.

Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e  politikave të Bibliotekës Kombëtare.  Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien  e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.

BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar.