Biblioteka Kombëtare prezanton revistën “Les Lettres Albanaises”

4

Biblioteka Kombëtare prezanton për publikun bibliografinë e një prej revistave më të suksesshme të viteve ’80-’90, “Les Lettres Albanaises”.

Si organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e para e këtij lloji që shfaqet në vendin tonë, revista u botua në frëngjisht me periodicitet katër herë në vit.

Numri i parë doli më 1978, ndërsa i fundit më 1991, vitin e përmbysjeve të mëdha. Ismail Kadare ishte kryeredaktori i parë për plot 12 vite, nga nr. 1/1978 deri në numrin 3/1990.

Qëllimi kryesor i saj ishte të përcillte te lexuesi i huaj arritjet më të mira të letërsisë dhe arteve shqiptare bashkëkohore si dhe të bënte sa më shumë të njohur sistemin letrar kombëtar në përgjithësi, që nga letërsia e vjetër deri tek ajo e traditës.

Falë vizionit dhe frymës editoriale që e shoqëroi pandalshëm revistën, spikasin emra si: Dalan Shapllo, Andrea Varfi, Llazar Siliqi, Adriatik Kallulli, Shevqet Musaraj, Dilaver Dilaveri, Sterjo Spasse, Aleks Çaçi, Luan Qafëzezi, Spiro Dede, Adem Istrefi, Anastas Kondo, Dhimitër Shuteriqi etj.

Që në 1979 jepen për lexuesin proza të shkurtra (tregime) të autorit Dritëro Agolli, poezi nga liriku i madh Lasgush Poradeci, poezi të revoltës intime nga Migjeni, prozë rrëfimtare nga Mitrush Kuteli, poezi lirike nga Fatos Arapi, Drago Siliqi etj., tregime nga Faik Ballanca, novela nga Vath Koreshi etj., sikundërse në gjininë e pikturës sillen krijime fshehtazi moderne të piktorëve Zef Kolombi, Simon Rrota, Sali Shijaku, Abdurrahim Buza, Bashkim Ahmeti, Lumturi Blloshmi etj. Revista prezantoi për lexuesin frankofon që nga fillimi i saj e në vazhdimësi poezi nga autorët arbëreshë: Vorea Ujko, Zef Serembe, Giuseppe Schiró di Maggio etj. dhe prezantoi tregimet poetike, poezitë dhe prozat e gjata të autorëve shqiptarë nga Kosova: Anton Pashku, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Agim Vinca, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ali Aliu etj.

Punimi i hartuar nga bibliografet Brunilda Tahiri dhe Loreta Loli, synon të sjellë një panoramë detajuese të përmbajtjes së njërës prej revistave shqiptare, e cila tërhoqi dhe u vlerësua për përhapjen e kulturës shqiptare, që promovoi autorë, piktorë, përkthyes, kritikë etj., duke shërbyer si burim informacioni për ta, për tematika të ndryshme në fushën e letërsisë, të artit, historisë, dramës, muzikës, pikturës etj. Ajo siguron një qasje të shpejtë e të lehtë nëpërmjet rubrikave, shënimeve të mundshme brenda një regjistrimi bibliografik si dhe treguesve, që ndihmojnë e drejtojnë përdoruesin në informacionin e kërkuar.

/ata.gov.al