Bie çmimi i naftës në Shqipëri, hera e katërt që çmimet e karburanteve ulen në tregun vendas

88

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një rënie të lehtë në tregun vendas. Në pikat e tregtimit me pakicë, nafta po tregtohet me 3-5 lekë për litër më pak.

Te Kastrati, operatori më i madh i shumicës dhe pakicës në vend, nafta kushton 153-155 lekë, nga 158 lekë që ishte më parë. Në të njëjtat nivele ishte dhe Eida Petroleum, operatori i dytë më i madh në vend. Te Gega Oil, një litër naftë kushton 150 lekë.

Kjo është hera e katërt që çmimet e karburanteve ulen në tregun vendas. Ndryshimi më i madh ndodhi në prill, pas fillimit të pandemisë, kur si rrjedhojë e uljes në tregjet ndërkombëtare, nafta në vend zbriti me 15-20 lekë për litër, nga 178-180 lekë në fillim të vitit përpara se të shpërthente pandemia.

Edhe në bursa, nafta tregtohet në nivelet më të ulëta që nga janari 2016, pavarësisht se është rimëkëmbur nga nivelet e ulëta prej 22 dollarë për fuçi, që arriti në fillim të pandemisë. Ditën e djeshme, treguesi referencë Brent tregtohet me 42.3 dollarë për fuçi, teksa pasiguritë për rimëkëmbjen globale mbeten të mëdha.