Bimët aromatike dhe medicinale, ndër prodhimet shqiptare më të eksportuara

27

Bimët aromatike dhe medicinale vijojnë të jenë ndër prodhimet shqiptare më të eksportuara.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur sot se shifrat krahasuese të 4-mujorit të këtij viti me atë të vitit 2020, na tregojnë për rritje prej 16% të eksportit të tyre.

Sipas të dhënave të publikuara, eksportet e bimëve medicinale dhe aromatike, gjatë 4-mujorit të këtij viti llogariten 1717 milionë lekë, nga 1475 milionë lekë që ishin në 4-mujorin e vitit 2020.

Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje.

Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e
sektorit të BMA-ve.

Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.