Bimët mjekësore në Shqipëri, mbi 80 mijë të punësuar dhe 20 milionë euro fitim

13

Bimët mjekësore dhe aromatike të Shqipërisë kanë potencial të madh për eksport dhe punësim.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, sektori i bimëve aromatike mjekësore numëron 31 kompani eksportuese që kanë mbi 80 mijë të punësuar, kryesisht në zonat malore të vendit.

Ndërsa eksportet “Made in Albania” të bimë mjekësore dhe aromatike vijojnë të jenë ndër më të kërkuarat në tregjet ndërkombëtare, ku kryesojnë shtetet si Zvicra, Gjermania, Franca e SHBA.

Ky sektor gjeneron mbi 20 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor. Ndërsa politikat e subvencionimit dhe mbështetjes financiare synojnë gjenerimin e punësimit të qëndrueshëm dhe burimin ekonomik për shumë familje në zonat rurale të vendit.

Sipas MBZHR, subvencionet e dhëna për këtë industri kanë nxitur investimet e fermerëve për të rritur sipërfaqet e mbjella me këto bimë dhe implementimin e teknologjive për përpunimin e tyre sipas standardeve më të mira evropiane.

Deri në 100 mijë lekë financon qeveria, për fermerët që mbjellin bimë mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë për hektarë, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillimit Rural për vitin 2022.

Ndërsa vitin që vjen mbështetja për zhvillimin e bimëve mjekësore, do të zgjerohet edhe nëpërmjet masave të Programit IPARD III.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.

Në këto kushte vendi ynë kryeson në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore dhe mbështetja synon ruajtjen e këtij trendi.