Blogerja e njohur e udhëtimeve tregon 10 arsye pse duhet vizituar Shqipëria

20

Larissa Olenicoff është një nga blogeret e udhëtimit më të njohura në Ballkan. Falë faqes së saj të Instagramit dhe adresës së internetit, historitë e saj të udhëtimit janë kthyer në një burim inspirimi për shumë njerëz për të vizituar Shqipërinë. Në rubrikën e “IntoAlbania” jep 10 sugjerime për turistët.

  1. Qyteti i preferuar shqiptar:

Tirana. Është kaotike, e megjithatë shumë interesante dhe e qetë në të njëjtën kohë. Është rritur kaq shumë si një kryeqytet kosmpolit që kur e kam vizituar fillimisht shtatë vite më parë, dhe atë që ndoshta nuk e gjeni në Tiranë, do e gjeni shumë pranë saj (detin, liqenet, shpellat, kalatë, malet).

  1. Vendi i kulturës:

Shkodra. Ka shumë histori kulturore në këtë qytet, e këtu ndodhet një nga nga muzetë e mi të preferuar, Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi. Kalaja e Rozafës dhe pamjet mbi liqenin e Shkodrës, lumin Buna si dhe Alpet nuk duhen humbur gjithashtu për çdo vizitor sipas mendimit tim.

  1. Vendi i natyrës:

Nga maja e gadishullit të Karaburunit deri në Llogara. E gjithë kjo shtrirje për mua është si parasja mbi tokë me shpellat në det, plazhet e mrekullueshëm, lagunat e fshehura, si dhe pyjet e harlisur, të gjitha këto në një vend të vetëm.

  1. Pjata e preferuar:

Tavë Kosi me mish qingji (sepse më ka rastisur ta shoh shpesh me mish viçi dhe kjo nuk është e drejtë).

  1. Eksperienca në natyrë:

Kam dëgjuar që Thethi është fantastik, por nuk kam qënë ende aty ndaj po përmend alpet simotra që ndodhen në Valbonë. E gjithë lugina është spektakolare për të bërë ngjitje apo edhe thjesht për t’u shkëputur në një vend të qetë e të paqtë. Është gjithashtu e thjeshtë të shkosh aty përmes liqenit të Komanit e ta përshkosh atë me varkë, që është një tjetër eksperiencë që duhet patur në Shqipëri.

  1. Kënaqësi e veçantë:

Rakia. Historia mbyllet këtu.

  1. Vendi që të ka lënë pa fjalë:

Shumë vende por ja vlen të përmend plazhin e Palasës rreth vitit 2015. Është plazhi që ndodhet më në veri në Rivierën e Shqipërisë (rripi i detit Jon), mu poshtë Qafës së Llogarasë, ku nuk kishte shumë gjera vërdallë përveç ndonjë kasolle të vogël plazhi si dhe ndonjë që bënte kamping.

  1. Vendi i nënvlerësuar që të pëlqen më tepër

Korça. Edhe pse numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, sërish nuk mendoj se turistët e kanë përfshirë sa duhet në itineraret e tyre. Është një nga qytetet e vogla më të këndshme e të qeta në Shqipëri, me një kulturë të pabesueshme dhe plot gjëra për të parë si në qytet ashtu edhe në rrethina.

  1. Vendi urban i preferuar:

Noel Bar që fshihet në Pedonalen e Tiranës. Ky vend është në kuptimin e plotë të fjalës një shtëpi e dytë për mua, dhe pronarët e lokalit janë si prindërit e mi. Nëse do të përjetosh diçka të vërtetë shpirtërore në Tiranë, këtu duhet të vini për pak raki apo qofte të shijshme (por jo të dielën, pasi e kanë të mbyllur).

  1. Vendi i duhur për foto instagrami

Berati. Me 1000 dritaret, lumin e mrekullueshëm të Osumit si dhe Kalanë e Beratit të vendosur në pozicionin perfekt, mendoj se Berati mund të jetë qyteti më fotozhenik në Shqipëri, me simotrën e listuar gjithashtu në UNESCO, Gjirokastrën, që ndodhet në pozicionin e dytë./ IntoAlbania