Boksieri Alban Beqiri në çerekfinalen e botërorit, deri tani ndër 8 më të mirët në botë

124

Alban Beqiri shkëlqeu mbrëmjen e të dielës në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd të Serbisë. Boksieri shqiptar u kualifikua në çerekfinale pas fitores me Eduardo Beckford nga Panamaja.

Trajneri i tij, ish boksieri i mirënjohur, Sead Bushati, është shprehur për mediat se mbrëmë Beqiri ka shkruar historinë.

“Alban Beqiri shkruan historinë e boksit shqiptar me fitoren e tretë në Botëror duke u futur në 8-të boksierët më të mirë të botës! Me klasin e lartë dhe me zgjuarsi të tij arriti të mposht boksierin shtatlartë dhe teknik të Panamasë!

Në ndeshjen e radhës ka boksierin shumë të fortë nga Jordania i cili mundi 2 here kampionin Olimpik kubanezin Roniel Iglesias Sotolongo, por besoj në aftësitë e Albanit teknikën, inteligjencën e tij dhe shpresoj se do të triumfojë dhe do të na sjell medaljen për herë të parë në një Botëror në Shqipëri!”, është shprehur Bushati.

Alban Beqiri aktualisht është kampion i Ballkanit në fuqi, dalë në muajin maj në Kroaci, fitues i shumë turneve ndërkombëtar dhe dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Europiane.