“Bonus-Malus”, nis krijimi i historikut për drejtuesit e mjeteve

64

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi udhëzimin “Mbi zbatimin e sistemit Bonus-Malus në sigurimin MTPL e brendshme”. Udhëzimi përcakton kriteret për llogaritjen e skemës universale të sistemit “Bonus-Malus” që do të zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit që ofrojnë produktetin TPL e brendshme në kategoritë B1 (autovetura) dhe B2 (furgona, mikrobuzë).

Udhëzimi u miratua nga Bordi i Autoritetit në pritje të ndryshimeve të plota ligjore me qëllim kryesor mbrojtjen e konsumatorit dhe përfshirjen e praktikave të njohura evropiane edhe në tregun shqiptar të sigurimeve. Kjo, pasi është verifikuar që në vendet ku është në zbatim sistemi “Bonus-Malus” ka dhënë efekte në uljen e numrit të aksidentëve, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe garantimin e një çmimi më të drejtë në policat e sigurimit TPL.

Në aspektin social, me aplikimin e sistemit Bonus-Malus synohet ndërgjegjësimi i publikut për një drejtim sa më të kujdesshëm të automjetit, por edhe rritje e cilësisë së shërbimit të sigurimeve kundrejt konsumatorëve. Nga ana teknike procesi është më transparent dhe përfshirja e formulave matematikore e bën një mekanizëm të drejtë, të besueshëm dhe sipas meritës.

Sistemi Bonus-Malus është mekanizmi i tarifimit në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku primi i zbatuar është i varur nga historiku i dëmeve/eksperienca e drejtimit të automjetit nga ana e të siguruarit. Ky sistem penalizon ekonomikisht, me rritjen e primit (deri në dyfishimin e tij), të siguruarin përgjegjës për një ose më shumë aksidente të shkaktuara/raportuara gjatë periudhës së sigurimit. Në anën tjetër, e favorizon atë me ulje të çmimit të primit të sigurimit (deri në përgjysmim), nëse gjatë periudhës së konsideruar nuk ka shkaktuar asnjë dëm.

Në bazë të udhëzimit të miratuar nga Bordi i Autoritetit, krijimi i historikut për vënien në zbatim të sistemit fillon më 1 prill 2019. Versioni final i udhëzimit të miratuar nga Bordi i AMF-së ka përfshirë mendimin e të gjitha palëve të interesuara. Përveç historikut të dëmeve (“Bonus-Malus”) faktorë të tjerë risku që ndikojnë direkt në çmimin e primit të sigurimit janë edhe territori ku qarkullon mjeti dhe fuqia motorike e tij.