Borxhi publik njeh ulje pas 6 viteve

384

debt-905x395

Borxhi publik i Shqipërisë u ul këtë vit për herë të parë në 6 vjet. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në tremujorin e tretë të këtij viti borxhi i qeverisë zbriti në 69.77 % e prodhimit kombëtar nga 72.21 % që ishte në fund të vitit të kaluar. Rënia është rezultat i dy faktorëve: Zgjerimit të ekonomisë dhe ngadalësimit të huamarrjes.

Sipas Ministrisë së Financave, Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i vendit pritet të arrijë 1 trilionë e 530 miliardë lekë këtë vit nga 1 trilionë e 444 miliardë që ishte vitin e kaluar. Por veç rritjes nominale të prodhimit kombëtar, trajektorja rënëse e borxhit është përcaktuar edhe nga politika konsoliduese që ka ndjekur qeveria për 3-tremujorët e parë të vitit. Edhe pse Kuvendi e ka autorizuar qeverinë që të marrë 35.7 miliardë lekë borxh për vitin 2016, deri në fund të shtatorit Ministria e Financave nuk ka kontraktuar asnjë kredi të re.

Sipas të dhënave zyrtare , në fund të nëntëmujorit bilanci i buxhetit ka rezultuar me një sufiçit prej 10.5 miliardë lekë, për shkak të shpenzimeve më të ulëta se sa plani. Të dy këta faktorë, rritja e prodhimit kombëtar dhe ulja e huamarrjes kanë bërë që borxhi publik i vendit të bjerë për herë të parë që nga viti 2010, me 2.44 pikë përqindje. Rënia ka ardhur si nga borxhi i brendshëm ashtu dhe ai i jashtëm.

Megjithatë gjasat janë që i gjithë viti 2016 të mbyllet me një ulje më të vogël të borxhit, pasi pritet që në dy muajt e fundit të vitit qeveria të marrë rreth 36 miliardë lekë borxh, sipas planit buxhetor që ka autorizuar Kuvendi.