Treguesit e borxhit publik vijuan rënien edhe përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Sipas raportit paraprak të publikuar nga Ministria e Financave, në fund të 9-mujorit, borxhi publik llogaritet në nivelin 55.45 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Të dhënat tregojnë se rënia më e fortë u shënua në segmentin e borxhit të jashtëm. Në fund të 9-mujorit stoku i borxhit të jashtëm llogaritet 23.55 % e PBB-së nga 26.2 % që ishte në fund të vitit 2023.
Parashikohet vijimi me uljen e borxhit publik.
Projektbuxheti 2025 materializon plotësisht objektivat kryesorë të politikës fiskale si: një balancë primare pozitive; reduktimin e borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, duke synuar për vitin e ardhshëm një nivel borxhi prej 55.8% të PBB nga 56.3% që pritet deri në fund të vitit 2024.
Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031, duke vijuar politikën e konsolidimit fiskal dhe duke respektuar rregullin përkatës fiskal të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit të shtetit.
Menaxhimi i borxhit, pavarësisht ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare të reflektuara edhe në tregun e brendshëm, ka qenë i suksesshëm si në rinovimin me sukses të borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, ashtu edhe duke siguruar financimin e nevojave buxhetore. Kjo është mundësuar falë edhe përpjekjeve të përmirësimit të strukturës së borxhit në vite, si dhe forcimit të kapaciteteve të menaxhimit, duke përfshirë dhe daljet e rregullta me eurobonde.
Borxhi aktualisht përbëhet nga: borxh i brendshëm, i cili zë rreth 57.5 % të totalit të borxhit, dhe borxh i jashtëm, i cili zë 42.5 % të tij.
Nga këndvështrimi i jetëgjatësisë borxhi afatshkurtër përbën rreth 15% të totalit të borxhit, ndërsa borxhi me afat maturimi mbi një vit në nivelin rreth 85% të totalit të borxhit.
Referenca: ata.gov.al