Bota e teknologjisë, ja 11 gratë më të pasura

0
70

Në listën e miliardereve që kanë arritur suksesin falë industrisë së teknologjisë janë shumë emra të famshëm, ndërsa disa të tjerë, thuajse të panjohur

1- Laurene Powell Jobs

Edhe në botën e teknologjisë, numri i grave miliardere është shumë më i vogël krahasuar me atë të burrave. Këtë e konfirmon klasifikimi i fundit i Business Insider, që analizon të dhënat e shfaqura në revistën Forbes.

Faqja amerikane ka bërë klasifikimin e 11 grave më të pasura të planetit. Në vend të parë është sipërmarrësja dhe filantropja Laurene Powell Jobs, e veja e themeluesit të Apple, me një pasuri 18,5 miliardë dollarë (rreth 16,2 mld euro). 55-vjeçarja drejton Laurene Powell Jobs Trust, fond që zotëron miliona aksione të Apple dhe të Walt Disney. Ndër të tjera, ajo ka themeluar edhe Emerson Collective, shoqëri që kontrollon revistën amerikane The Atlantic.

2- Dagmar Dolby

Në vend të dytë renditet Dagmar Dolby, me 4,2 miliardë dollarë (rreth 3,6 mld euro). 77-vjeçarja zotëron pjesën më të madhe të aksioneve të Dolby Laboratories, shoqëri amerikane që zhvillon teknologji audio. Ajo zotëron në total rreth 38% të shoqërisë që bashkëshorti i saj, i cili vdiq 6 vjet më parë, e themeloi në vitin 1965.

3- Judy Faulkner

Në vend të tretë në podium gjejmë Judy Faulkner, themeluese dhe CEO e Epic Systems, kompani farmaceutike që shet software shëndetësorë. 75-vjeçarja e nisi nga zero në vitin 1975 dhe ndërtoi një shoqëri inovative dhe unike që shumë shpejt fitoi aksione të mëdha në treg. Sot, pasuria e saj është 3,8 miliardë dollarë (3,1 mld euro).

4- Meg Whitman

Vendi i katërt për amerikanen Meg Whitman, e cila në të kaluarën ka qenë CEO e Hewlett Packard Enterprise dhe eBay. Në prill të vitit 2018 u emërua drejtuese e startup Quibi, e cila prodhon mini-seri televizive që mund të ndiqen në smartphone. Pasuria e saj arrin 3,5 miliardë dollarë (2,9 mld euro).

5- Zhou Qunfei

E pesta në listë është kinezja Zhou Qunfei, pasuria e së cilës arrin në 3,9 miliardë dollarë (2,7 mld euro). E lindur në një familje të varfër, në një vend të vogël në provincën Hunnan në Kinë, 49-vjeçarja, deri në moshën 16-vjeçare punonte në një fabrikë orësh, me një pagë mujore pak më shumë se 100 dollarë në muaj. Por gjithçka ndryshoi në vitin 2003, kur hapi, me 3000 dollarë, Lens Technology në Hong Kong, kompani e specializuar në ekrane dhe lente optike. Në pak vite arriti të nënshkruajë kontrata me kompanitë më të mëdha në botë si Apple, Samsung dhe Motorola.

6- Zeng Fangqin

Në vend të gjashtë, 53-vjeçarja nga Kina, Zeng Fangqin, presidente e Lingyi Technology, shoqëri që furnizon pjesë elektronike për smartphone, tablet dhe laptop për kompani të mëdha ndërkombëtare si Huawei dhe Apple. Pasuria e saj vlerësohet në 2,9 miliardë dollarë (2,3 mld euro).

7- Ma Dongmin

Vendi i shtatë për Ma Dongmin, gruaja e Robin Li, bashkëthemelues dhe CEO i Baidu. Që prej vitit 2017, është asistente speciale e të shoqit. Pasuria e saj arrin 2,6 miliardë dollarë (2 mld euro).

8- Lam Wai Ying

Presidentja dhe bashkëpronarja e Biel Crystal Manufactory, Lam Wai Ying, renditet në vend të tetë. Kompania prodhon xhama touchscreen për iPhone dhe pajisje të tjera teknologjike si smartwatch dhe tablet. Pasuria e saj vlerësohet në 2,3 miliardë dollarë (rreth 2 mld euro).

9- Thai Lee

Në vend të nëntë, amerikania Thai Lee, pasuria e së cilës është 2,1 miliardë dollarë (1,4 mld euro). 60-vjeçarja drejton SHI International, një furnizues i shërbimeve dhe pajisjeve informatike me seli në New Jersey. Kompania numëron 17 mijë klientë, ndër të cilët AT & T dhe Boeing.

10- Wang Laichun

Vendi i dhjetë për Wang Laichun, presidente e Luxshare Precision, shoqëri që prodhon konektorë elektronikë për kompani si Apple. Në të kaluarën, 51-vjeçarja ka punuar edhe për Foxconn. Pasuria e saj është 2,1 miliardë dollarë (1,7 mld euro).

11- Sheryl Sandberg

Klasifikimi mbyllet me Sheryl Sandberg, numri dy i Facebook dhe drejtuese operative e rrjetit social. Në të kaluarën 49-vjeçarja ka qenë zëvendëspresidente për shitjet online të Google, pasuria e së cilës arrin 1,6 miliardë dollarë (1,4 mld euro).

Burimi: Revista Monitor