BSH: 40% e ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë fizike

8

Shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë është një zhvillim i rëndësishëm i teknologjisë për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve bankare dhe për shkurtimin e kohës së marrjes së tyre nga publiku.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, sot 40% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend, krahas tërheqjes ofrojnë edhe shërbimin e depozitimit të parasë fizike (cash).

Referuar statistikave, numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit 2023 arriti në 370, me rritje prej 21% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa depozitimet automatike të parasë cash në bankomate u rritën për të gjashtin vit radhazi në 2023-shin. Vitin e kaluar u kryen 769 mijë depozitime cash në ATM, në rritje me 34% krahasuar me vitin 2022.

Ndërsa vlera totale e depozitimeve arriti në 38 miliardë lekë, me rritje prej 27% krahasuar me një vit më parë.

/ata.gov.al