BSH nxjerr shifrën: Sa para kanë shqiptarët të depozituar në banka

62

Stoku i depozitave bankare në total në vendin tonë arriti në  1.28 trilionë lekë në fund të tetorit, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Në krahasim me muajin e mëparshëm, depozitat në sistemin bankar u shtuan me 16.5 miliardë lekë, ose 1.31% më shumë.

BSH-ja bën të ditur se, rreth 81% e rritjes mujore në tetor ka ardhur nga valuta. Zgjerimi i depozitave në euro ka ardhur si nga individët ashtu dhe nga korporatat e tjera jo financiare.

Ndonëse normat e interesit bazë janë rritur, duke arritur në 2.75% pas ndryshimit të kahut të politikës monetare të bankës së Shqipërisë, duke tërhequr dhe interesat e depozitave në lekë, kursimet në monedhën vendase nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në lekë ishte 545 miliardë lekë në fund të tetorit, me një rritje prej 0.5% me bazë mujore. Por e gjithë shtesa ka ardhur nga korporatat jo financiare, ndërsa depozitat e individëve kanë shënuar tendencë ulëse për të dytin muaj radhazi.