BSH: Të ardhurat nga turizmi, investimet ulën me 27.4% deficitin e llogarisë korrente

5

Rritja e të ardhurave nga turizmi, investimet e huaja dhe prurjet valutore nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit, kanë ndikuar në zbritjen e deficitit të llogarisë korrente në nivelin më të ulët historik, për 6-mujorin e parë të vitit 2023.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin 2023 deficiti kishte vlerën e 323 milionë eurove, në rënie me 27.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson balancën mes flukseve korrente hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi. Për gjysmën e parë të këtij viti ky deficit ka shënuar vlerën më të ulët historike, të paktën që nga viti 2008 e në vazhdim.

Bilanci tregtar në shërbime prej vitesh është pozitiv dhe luan një rol të rëndësishëm në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente. Suficiti në shërbime u zgjerua me 26 % në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këtu kontribut ka dhënë sidomos zgjerimi i ndjeshëm i të ardhurave nga turizmi dhe nga fasoneria.

Të ardhurat neto nga turizmi për 6-mujorin e parë të vitit arritën vlerën rekord të 577 milionë eurove, në rritje vjetore me 71 %.

Ndërsa të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët (fasoneria) arritën në 394 milionë euro, në rritje me 16 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithashtu kontribut pozitiv në uljen e deficitit të llogarisë korrente dhanë edhe të ardhurat dytësore të kësaj llogarie, që konsistojnë në pjesën dërrmuese në dërgesat të emigrantëve.

Gjithashtu, edhe rritja e të investimeve të huaja direkte ka ndikuar pozitivisht në shtimin e flukseve valutore hyrëse në ekonomi. Vlera e investimeve të huaja direkte paraqitet në rritje me afërsisht 8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/ata.gov.al