Në Skemën Kombëtare të këtij viti 2021, një nga masat mbështetëse për fermerët është edhe zëvendësimi i plastmasit në serra dhe tunele plastike.
Plastmasi, që përdorin fermerët për prodhimin në mjedise të mbrojtura, si serra apo tunele plastike, aktualisht nuk është i përjashtuar nga TVSH-ja që aplikohet për inputet bujqësore. Ndaj qeveria nëpërmjet Skemës Kombëtare të mbështetjes, për çdo fermer që do të ndryshojë plastmasin, do t’i paguajë pjesën e taksës që ata japin kur blejnë plastmasin si lëndë e parë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se, “zëvendësimi i plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes subvencionohen në vlerën respektive 300 000 lekë/ha dhe 100 000 lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt”.
Ndërkohë sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik duhet të jetë jo më pak se 0.2 ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
Aplikimet për fondet e Skemës Kombëtare 2021 nisin në 24 mars.