Bujqësia shqiptare mposht pandeminë/ U eksportuan 19 miliardë lekë produkte në 6 muaj

15

Pavarësisht pandemisë COVID-19, problemeve me transportin në kufi dhe vështirësive të krijuara, vlera e eksporteve bujqësore është rritur në gjysmën e parë të vitit 2020, me 3.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, nga afro 18,3 miliardë lekë që u eksportuan në 2019, në 6 muajt e parë të 2020-ës u tregtuan jashtë kufijve, rreth 19 miliardë lekë produkte ushqimore.

E ndarë sipas sektorëve, bujqësia ka njohur rritjen më të lartë eksporteve, e ndjekur nga peshkimi, ndërsa blegtoria dhe agroindustria kanë pësuar rënie. Vetëm eksportet bujqësore regjistrohen në 9 miliardë lekë, duke kryesuar tre sektorët e tjerë.

Ndërkaq, edhe importet gjatë kësaj periudhe kanë patur një rritje prej 3.1%, nga 56,6 miliardë lekë 6-mujorin e parë të 2019-ës në 58,3 miliardë lekë në 2020-ën. Raporti eksport/import për gjysmën e parë të vitit është 1:3.1, duke mbetur në të njëjtin nivel si në 2019-ën. Për shkak të masave të marra ndaj COVID-19, fillimisht sektori bujqësor hasi vështirësi në tregtinë me jashtë dhe në kontrata, situatë e cila u stabilizua shpejt.