Bujtina “Xhebro” në Nivicë, shembulli se si nga sipërmarrje të vogla arrijnë rezultate të mëdha

18

E ndërtuar në shpatin e malit të Këndrevicës në Nivicë të Tepelenës, bujtina “ Hadër Xhebro” është një shembull i suksesshëm se si nga sipërmarrje të vogla mund të arrihen rezultate të mëdha.

E ngritur në një vend të përsosur piktoresk, bujtina është vendi ku mund të kaloni një fundjavë relaksi mes natyrës përrallore me livadhet e gjelbra dhe ajrin e pastër.

Një investim familjar mbështetur dhe nga qeveria përmes programeve të AZHBR, kjo bujtinë ka edhe baxhon ku prodhohen lloje të ndryshme djathrash nga qumështi i freskët i sjellë çdo mëngjes nga barinjtë e fshatit.

Mbështetja për agroturizmin ka nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale.

Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.

Mbështetja financiare ndihmon prodhuesit e vegjël në rritjen e kapaciteteve prodhuese, plotësimin e standardeve, për të siguruar cilësi dhe për të mundësuar që këto produkte të gjenden kudo. Në të njëjtën kohë fuqizohen zonat rurale, nëpërmjet orientimit të investimeve në këto zona.

Bujtina “Hadër Xhebro”, është financuar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes, kjo bujtinë mirëpret qindra vizitorë vendas dhe të huaj, duke u shëndrruar në një nga destinacionet e preferuar.
Potenciali turistik i zonave rurale krijon mundësi shumë të mira për zhvillimin e ekonomive familjare, gjallërimin dhe përmirësimin e standardeve të jetesës në fshatra.
/ata.gov.al