Butrint, vijon projekti kërkimor “Forumi Romak”

63

Gjatë muajit qershor në Butrint po zhvillohet projekti kërkimor “Forumi Romak”, i cili ka për qëllim të sqarojë formën, kronologjinë dhe fazat e monumenteve të veçanta historike, pjesërisht të zbuluara, në këtë zonë, përmes gërmimeve të mëparshme dhe do të saktësojë stratigrafinë e qendrës së lashtë urbane.

Ky studim arkeologjik është i nevojshëm për të realizuar botimin përfundimtar të projektit, të quajtur “Butrinti: Forumi Romak”. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës.

Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore.

Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.