Bylisi, ballkoni panoramik nga ku shihet gjysma e Shqipërisë

281

Bylisi është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit, vazhdon të mbetet një atraksion turistik me një numër në rritje të vizitorëve.

Për periudhën janar-korrik 2018 shënohet numri 3132 i vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku numri i vizitoreve shënonte 2636.

Nëse Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik.

Vizitorët që shkojnë në Bylis, mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë.