Central fotovoltaik me kapacitet 10 MW në zonën e Jagodinës, Elbasan

19

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse në zonën e Jagodinës, Elbasan.

Centrali me kapacitet 10 MW, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, do të ndërtohet nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “G.A.C” dhe “La porta della luce”.

Sipas vendimit, afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi do të jetë brenda 36 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndërsa afati i operimit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Në vendim përcaktohet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit.

E drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse mund të transferohet te një subjekt i tretë, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Bashkimi i shoqërive ka detyrimin t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit. Po ashtu i kërkohet të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

/ata.gov.al