Cilësia e ajrit për fëmijët dhe pasojat, seminar i Akademisë së Shkencave

3

Akademia e Shkencave zhvilloi seminarin “Cilësia e ajrit dhe frymëmarrja e shëndetshme tek fëmijët (çerdhe-kopshte-shkolla) dhe ventilimi smart i tyre”.

Seminari u organizuar nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Komisioni i inxhinierisë pranë ASHSH, në bashkëpunim dhe Institutin e Shëndetit Publik. Ishin te pranishem inxhinierë dhe kërkues të fushës, përfaqësues të institucioneve shtetërore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia e Tiranës, Instituti i Shëndetit Publik, pedagogë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studio profesionale te arkitekturës dhe agjencive politikëbërëse dhe zbatuese të lidhura ngushtë me çështjen.

Akademik Jorgo Kaçani vuri në dukje se ky seminar ka synimin që të japë kontribut për zbatimin e normave dhe standardeve të miratuara që duhen respektuar, dhe jo vetëm të respektohen, por edhe të jenë të detyrueshme e jo vullnetare për t’u respektuar e zbatuar, me synimin për të rritur cilësinë e ajrit dhe teknologjinë e ventilimit në çerdhe-kopshte-shkolla. Në seminar u vu theksi tek monitorimi i vazhdueshëm i parametrave të duhura për të ruajtur cilësinë e ajrit tek fëmijët.

Studimet kanë zbuluar se rreth 98% e shkollave janë në zona që tejkalojnë kufijtë e ndotjes së OBSH-së për PM 2.5, madhësia më e dëmshme e grimcave, krahasuar me 24% jashtë qyteteve.

UNICEF për qytetet europiane vlerësoi në vitin 2018 se një në tre fëmijë po rritej në zona me nivele të larta të grimcave, në total 4.5 milionë fëmijë në qyteza dhe qytete. Fëmijët e vegjël në klasë thithin rreth 100-200 mg/ditë pluhur, rreth 2-4 herë më shumë se sasia e të rriturve.

Hulumtimet gjatë dekadave kanë treguar se cilësia e dobët e ajrit të brendshëm në shkolla ka një sërë efektesh në shëndetin e fëmijëve, në aftësinë për të mësuar dhe performancën akademike. Efektet e gjera dhe afatgjata shëndetësore të ndotjes janë të njohura dhe përfshijnë sëmundjet e mushkërive, sëmundjet kardiovaskulare, infarktin e miokardit, dështimin e zemrës, çrregullimet neurologjike, diabetin dhe kancerin.

Faktorë të shumtë e bëjnë menaxhimin e cilësisë së ajrit në shkolla, një prioritet të lartë për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve, stafit dhe performancën arsimore të tyre.

Referenca: ata.gov.al