Cilët janë sektorët me punësimin më të lartë në Shqipëri, tre muajt e fundit

81

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e punësimit në vendin tonë shënoi rritje, ndërkohë që industria dhe bujqësia dominojnë me numrin më të lartë të forcave të angazhuara në punë, për këtë periudhë.

Sipas INSTAT, në terma vjetorë, punësimi për popullsinë 15-64 vjeç është rritur me 10,1% në sektorin e industrisë, me 0,5% në sektorin e shërbimeve dhe 2,3% në sektorin e bujqësisë.

Sipas INSTAT, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, për grupmoshën 15-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,3 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1,1 pikë përqindje.

Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 0,2%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, dhe është rritur me 2,1%, krahasuar me tremujorin e dytë 2021.

“Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 63,1%, ndërsa për burrat ky tregues është 77,3%.  Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,5%. Ky tregues është rritur me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020, dhe rritur me 1,6 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e dytë 2021. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,5%”, bën të ditur njoftimi i INSTAT.