Çimento “made in Albania” lider, kryeson eksportet shqiptare drejt BE

139

Autoriteti Portual i Durrësit publikoi të dhënat e eksporteve dhe importeve për periudhën janar-shtator të vitit 2018.

Gjatë 9 muajve të parë të 2018, afro 140 mijë ton çimento e prodhuar në vend është eksportuar me anije nga Durrësi në drejtim të vendeve të tjera. Çimento “made in Albania” përbën materialin kryesor në listën e eksporteve nga porti i Durrësit drejt porteve të Mesdheut gjatë 9 muajve të parë të këtij viti.

Ndërkaq, qymyri koks me mbi 157 mijë ton dhe gruri me afro 132 mijë ton ndodhen në vendet e para të listës së mallrave të importit, që kanë mbërritur me anije në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-shtator 2018.

Sipas Sektorit të Statistikave në APD, mësohet gjithashtu se melamina e përpunuar në Durrës gjatë këtyre 9 muajve arrin në 60 mijë ton, mbi 60 mijë ton llamarina, po aq edhe nitrati e plehrat kimike, 25 mijë ton hekur, 72 mijë ton çimento importi.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual të Durrësit rezulton se eksport-importet me anije dhe tragete gjatë periudhës janar-shtator 2018 arrijnë shifrën prej mbi 2.7 milion ton mallra, nga të cilat afro 68 përqind i përkasin importeve dhe pjesa tjetër eksporteve.