Qeveria Shqiptare vendos të mbështesë edhe bizneset e mëdha të cilat që prej vitit 2019 janë në treg të lirë, përmes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare do të hyjë në garën e Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL) për ofrimin e energjisë në treg për këto biznese me një çmim më të favorshëm.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në vend, bëri të ditur se futja e KESH-it në garën për të ofruar energji, krijon mundësitë për bizneset për të blerë me çmim më të favorshëm energjinë elektrike, në kushtet kur çmimi në bursa shkoi këtë vit deri në 60 lekë për KWh.
“Kemi çështjen e të gjithë abontetëve që kanë dalë në vitin 2019 në tregun e lirë. Gjatë vitit 2022 ata u përballën me vështirësi shumë të mëdha. Ka pasur ditë që nuk kanë pasur sasi energjie elektrike. Nuk kanë arritur të ndezin fabrikat e tyre, pasi nuk kanë arritur të sigurojnë energji në tregun e lirë dhe kjo për ne është më të vërtetë një situatë emergjente”, theksoi Balluku gjatë takimit.
Nga ana tjetër, vuri në dukje Balluku, kjo kategori biznesi është përballur me çmime nga 50-60 lekë për kilovat/orë, që sipas Ballukut, janë çmime stratosferike.
“Ne shpresojmë shumë që të ketë një zbutje të këtij çmimi, por situata në Ukrainë vazhdon të jetë e vështirë. Dhe për këtë arsye, për të shmangur këtë pasiguri, është vendosur që KESH të hyjë në procedurën e blerjes së energjisë që Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL) ka hapur për të furnizuar me energji këtë grup klientësh”, u shpreh Balluku.
Balluku bëri të ditur se në këtë procedurë kanë hyrë 7 kompani, përfshirë dhe KESH.
ata.gov.al