Çmimi i ilaçeve në Shqipëri do të ulet, ja arsyeja

85

Barnat në tregun e lirë farmaceutik në vendin tonë pritet të ulen me gati 5%.

Kjo për shkak të kursit të këmbimit të monedhës euro, e cila këtë vit ka pësuar një ulje prej afro 7.2%. Çmimet e barnave në vendin tonë përcaktohen sipas çmimeve CIF, duke u bazuar edhe në kursin e këmbimit të euros, që në janar të vitit 2018 këmbehej me 133.07 lekë dhe në janar të vitit 2019 1 euro u shit me 123.42 lekë.

Ndërkohë që javën që lamë pas, 1 euro u shit me 124.37 lekë. Ky është një çmim të cilit do t’i referohet Komisioni i Çmimeve të Barnave për të vendosur çmimet me të cilat do të tregtohen barnat në vendin tonë gjatë vitit 2019. Farmacitë janë ato që dalin më të humbura në këtë ulje çmimesh, pasi i kanë blerë më shtrenjtë barnat nga distributorët farmaceutikë dhe nuk i kanë shitur ende, ndërkohë që duhet t’i shesin edhe më lirë.

Për këtë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka njoftuar subjektet farmaceutike që kanë kontratë me të që të marrin masat e nevojshme pasi së shpejti pritet të ndodhë indeksimi i çmimeve të barnave të listës me rimbusim bazuar në çmimet CIF 2019, të miratuar nga Komisioni i Çmimit të Barnave.