Çmimi i parë në Spanjë për “Sheshin Skënderbej”

54

Pas vlerësimit që mori në bienalen e Çikagos, çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë dhe çmimit të dytë për Arkitekturën Bashkëkohore 2019 që u akordua nga Bashkimi Europian, sheshi “Skënderbej” vijon të tërheqë vëmendjen e profesionistëve ndërkombëtarë të arkitekturës, si një nga hapësirat që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Së fundi, sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur si fitues i Çmimit Europian për Ndërhyrje në Trashëgiminë Arkitekturore (European Award for Architectural Heritage Intervention AADIPA), në një garë aspak të lehtë, ku konkurruan 239 projekte nga vende të ndryshme të botës. Juria e cilësoi projektin e sheshit “Skënderbej” si një reflektim i kompleksitetit dhe historisë së Shqipërisë.

Çmimi prestigjioz u dha nga Shoqata e Arkitektëve të Katalonjës dhe Shoqata e Arkitektëve për Mbrojtjen dhe Ndërhyrjen në Trashëgiminë Arkitekturore, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Katalonjës dhe Këshillit Bashkiak të Barcelonës.

 Sheshi “Skëndërbej” konkurroi në kategorinë “Hapësirat e Jashtme” dhe nga dhjetë veprat e përzgjedhura, në finale shkuan 4 finalistë:

– Sheshi “Skënderbej” nga studio 51N4E, Anri Sala, iRI dhe Plant en Houtgoed (Tiranë, Shqipëri)

– Qendra e Vizitorëve në Villers Abbey nga Binario Architects (Villers-la-Ville, Belgjikë)

– Hyrja e Kështjellës Jorba nga Carles Enrich Studio (Barcelona, Spanjë)

– Parku Zollverein nga Planergruppe GmbH Oberhausen (Essen, Gjermani)

Juria vendosi si projekt fitues sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka luajtur liria e autorëve në realizimin e projektit për sfidën e të punuarit në një shesh shumë kompleks dhe simbolik, për shkak të kontekstit historik dhe politik që ai mbart, si dhe thjeshtësisë së shprehur përmes një topografie plot sqimë, që ringre në të njëjtën shkallë vlerat e kompleksit historik arkitekturor rrethues, në harmoni me ndërtesat përreth, duke krijuar një thyerje në përbërjen e aksit urban ekzistues, çka gjeneron një model të ri të hapësirës urbane.