Çorovodë, Ura e Kasabashit perlë e trashëgimisë kulturore

266

Në gjininë e ndërtimeve inxhinierike, Ura Kasabashit në Çorovodë është një nga perlat e trashëgimisë kulturore të qarkut Berat.

Është drejt përfundimit projekti i restaurimit të kësaj ure dhe në pranverën e vitit 2019 do fillojë një restaurim i plotë pas ndërhyrjes pjesore që është realizuam para pak kohësh.

Ura e Kasabashit gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Ura e Kasabashit futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.
Nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh, kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi).
Qemeri qëndror i cili ka një vëllim më të madh paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysëm rrethore.
Qemeri kryesor sipër konturohet nga një kornizë guri 5 cm të trashë. Edhe dritaret shkarkuese ashtu si edhe qemerët anësorë janë ndërtuar në formë gjysmë rrethore.
Muret ballorë janë ndërtuar me gurë lumi dhe mali të zinj në formë pllake me trashësi 10-12 cm me gjatësi jo më shumë se 25 cm, ndërsa fugat midis gurëve janë shumë të theksuara. Në njërin krah mbi urë hipet mbi një platformë të drunjtë. Ura e Kasabashit nga teknika e ndërtimit duhet t’i përkasë shekullit XVII.