Në brigjet e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës”, u zhvillua censi i dallëndyshes së detit faqebardhë (Chlidonias hybrida).
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura informoi sot se censi u krye konkretisht në vendet e quajtura Shegan, Flakë, Kamicë, Bregu i Rërës.
“Censi zhvillohet për të katërtin vit radhazi dhe nga viti në vit ka rritje të numrit të individëve të regjistruar. Për këtë vit kemi numëruar 670 individë, e përkthyer në 335 çifte, të cilat janë në prag folezimi”, theksoi AKZM.
AKZM bën të ditur se “Liqeni Shkodrës është i vetmi mjedis në vendin tonë ku kjo specie folenizon”.
Dallëndyshja e detit faqebardhë folezon në mjedise ujore, mbi zambakë, në thellësi rreth 1 m.
Fauna e liqenit të Shkodrës është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.
Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin.
/ata.gov.al