Dëbora e parë në malin e Gramozit

3

Me rënien e parë të dëborës për stinën e dimrit në vendet malore alpinistët dhe të apasionuarit pas ngjitjeve në mal kanë nisur frekuentimin e tyre.

Dëbora e parë ka sjellë edhe nisjen e aktiviteteve malore, gjithmonë nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar, për të vazhduar një sezon të mbarë turistik dimëror.

Profesioni i udhërrëfyesit, përtej prezantimit të bukurive natyrore e trashëgimive kulturore të vendit, është i rëndësishëm për të ofruar turizëm të sigurt në terrenet me nivele të caktuara vështirësie, ku shoqërimi nga guidat profesioniste është i domosdoshëm.

Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.

Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.

Të pasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe të admirojnë natyrën e rrallë të këtyre majave.

Referenca: ata.gov.al