Del lista/ Ja 66 shërbimet që mund të kryeni në sportelet e ISSH

239

Çdo person i siguruar ka të drejtë të kërkojë përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore sa herë që mendon se i plotëson kushtet për sigurimin e këtyre përfitimeve.

Sipas kushteve të diktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, kërkesat për përfitim së bashku me dokumentet e përcaktuara në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore paraqiten dhe administrohen në sportelet e shërbimit rajonal, në ato njësi vendore ku ndodhet edhe vendbanimi i përhershëm i personit.

Në total janë rreth 66 shërbime që mbulon skema e sigurimeve shoqërore, duke nisur nga pensionet, të ardhurat e llojeve të ndryshme, kompensimet, si dhe sigurimin e vërtetimeve dhe shërbimeve të tjera që duhen për të siguruar këto lloje përfitimesh.

Në ndihmë të të gjithë personave që kanë të drejtë të përfitojnë nga skema e sigurimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka detajuar listën e 66 shërbimeve që ofron, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.

Periudhë e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore për efekt të pensionit të pleqërisë, pensionit të invaliditetit dhe të pensionit familjar është edhe periudha kur personi përfiton të ardhura nga sigurimet shoqërore për shkak sëmundjeje, barrëlindjeje, aksidenti në punë ose sëmundjeje profesionale dhe për papunësinë. Sipas ligjit, personat që kanë të drejtë për më shumë se 1 lloj pensioni, mund të zgjedhin vetëm një prej tyre, kjo e drejtë mund të ushtrohet jo më shumë se tre herë.

Ndërsa personi, i cili kërkon pensionin jo më vonë se 1 vit nga data që i lind kjo e drejtë, ky pension i paguhet që nga kjo ditë. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për pension. E drejta për të ardhurat e tjera parashkruhet me kalimin e një viti nga data e fillimit të së drejtës për përfitimin e tyre. Po sipas skemës së sigurimeve, pensionet e njohura, por të patërhequra do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

Gjithashtu, pensionet e caktuara por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. E drejta për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

Personi, që ka përfituar pension, ose të ardhura të tjera nga sigurimet shoqërore, në mënyra e mjete në kundërshtim me ligjin, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër, të cilën e shlyen duke iu mbajtur çdo muaj 50 për qind e këstit mujor të përfitimit.

Përfituesi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.  Sa i takon përfitimeve të invaliditetit, këto pagesa ndërpriten për periudhat që pensionisti refuzon të vizitohet te komisioni i mjekëve ekspertë kompetent.

Pensioni i invaliditetit ndërpritet edhe për periudhat kur përfituesi refuzon të marrë pjesë në kurset e kualifikimit e të rikualifikimit, në ripërtëritjen mjekësore dhe në trajtimin kundër alkoolit e drogës, që synojnë të reduktojnë aftësinë tij për punë.

Lista e përfitimeve dhe shërbimeve që sigurohen në sportelet e sigurimeve shoqërore

  1. Pension i plotë pleqërie.
  2. Pajisje me librezë pensioni.
  3. Shtesë pensioni për shtyrje të datës së daljes në pension.
  4. Pension pleqërie i reduktuar.
  5. Rishqyrtim pensioni.
  6. Transferim pensioni.
  7. Vërtetim për përfitim dhe masë pensioni.
  8. Mbyllje pensioni dhe pagesë për vdekje.
  9. Pensione familjare.
  10. Përsëritje pensioni familjar.
  11. Të ardhura shtesë për fëmijë në ngarkim.
  12. Pensioni social.
  13. Të ardhura për barrëlindje për të punësuarit.
  14. Të ardhura për barrëlindje për të vetëpunësuari.
  15. Shpërblim lindje për personat e vetëpunësuar.
  16. Shpërblim lindje për personat e punësuar.
  17. Të ardhura për kompensimin për barrëlindje, kur ndryshohet vendi i punës.
  18. Pension suplementar pleqërie nga ligji nr. 10139, date 15.05.2009.
  19. Pension suplementar pleqërie nga ligji nr. 10142, date 15.03.2009, i ndryshuar.
  20. Pension suplementar familjar nga ligji nr. 10142, datë 15.03.2009, i ndryshuar.
  21. Pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga ligji nr.10142, datë 15.03.2009, i ndryshuar.
  22. Pension suplementar familjar për shkak të detyrës nga ligji nr. 10142, datë 15.03.2009, i ndryshuar.
  23. Përsëritje pensioni suplementar familjar.
  24. Pension suplementar invaliditeti për shkak të detyrës nga ligji nr. 10142, datë 15.03.2009, i ndryshuar.
  25. Pension suplementar invaliditeti nga ligji nr. 10142, datë 15.03.2009, i ndryshuar.
  26. Pension suplementar shtetëror nga ligji nr. 8097, dt.21.03.1996.
  27. Pension suplementar familjar nga ligji nr. 8097, dt.21.03.1996.
  28. Pension suplementar invaliditeti nga ligji nr. 8097, dt.21.03.1996.
  29. Pagesa kalimtare nga ligji nr. 8097, dt. 21.03.1996.
  30. Pensioni i posaçëm.
  31. Trajtim i veçantë financiar mbi pensionin e pleqërisë për pilotët nga ligji nr. 9128, datë 29.07.2003.
  32. Trajtim i veçantë financiar mbi pensionin e pleqërisë për punonjësit e nëndetëseve nga ligji nr. 9361, date 24.03.2005.
  33. Rishqyrtim pensioni suplementar apo trajtimi i veçantë.
  34. Transferim pensioni suplementar apo trajtimi i veçantë.
  35. Shpërblim financiar për familjet e dëshmorëve sipas ligjit nr. 8607, datë 27.04.2000.
  36. Trajtim i veçantë për punonjësit e ndërmarrjeve ushtarake nga ligji nr. 9179, datë 29.01.2004.
  37. Mbyllje pensioni suplementar apo trajtimi i veçantë.
  38. Pension pleqërie si minator.
  39. Trajtim i veçantë financiar si minator nga ligji nr. 8685, datë 09.11.2000.
  40. Pension invaliditeti i plotë.
  41. Pension invaliditeti i pjesshëm.
  42. Pension invaliditeti i reduktuar.
  43. Të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksident në punë dhe sëmundje profesionale.
  44. Të ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksident në punë dhe sëmundje profesionale.
  45. Të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksident në punë dhe sëmundje profesionale.
  46. Të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël nga aksident në punë dhe sëmundje profesionale.
  47. Të ardhurat për kompensim për sëmundje, kur ndryshon vendi i punës.
  48. Të ardhura për sëmundje për personat e punësuar.
  49. Të ardhura shtesë për përkujdesje.
  50. Kujdesi mjekësor shtesë dhe riaftësimi në rast aksidenti ne punë dhe sëmundje profesionale.
  51. Rikomisionimi në KMCAP-in Rajonal.
  52. Ankimi në Komisionin Epror të Caktimit të Aftësisë për Punë.
  53. Ankimi në Komisionin Rajonal të Ankimimit.
  54. Ankimi në Komisionin Qendror të Ankimimit.
  55. Kompensime të Energjisë Elektrike.
  56. Kompensime për personat në ngarkim.
  57. Pagesë për shpenzime funerali.
  58. Vërtetim për derdhjen e kontributeve si person fizik.
  59. Vërtetim për periudha pune në KB.
  60. Vërtetim/Aktverifikim për periudha pune në Ndërmarrje Shtetërore para datës 01.01.1994.
  61. Vërtetim/Aktverifikim për derdhjen e kontributeve si i punësuar pas datës 01.01.1994.
  62. Vërtetim për kontributet si i vetëpunësuar në bujqësi.
  63. Vërtetim për derdhjen e kontributin vullnetar.
  64. Marrëveshje për derdhje të kontributit vullnetar.
  65. Pajisje me librezë kontributesh të vetëpunësuarit në Qytet, në bujqësi dhe personat e siguruar vullnetarisht.
  66. Urdhërveprim për derdhje kontributi si i vetëpunësuar në bujqësi