Deni Hoxha, themeluesi i rrjetit studentor shqiptar në Harvard

69

Që prej vitit të ardhshëm, në Universitetin Harvard në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tregohen histori shqiptare suksesi në media, biznes, shkencë dhe shërbim publik.

Studenti dhe themeluesi i rrjetit studentor shqiptar në Harvard, Deni Hoxha tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se iniciativa e re ka të bëjë me prezantimin e historive të sukseshme të shqiptarëve në botë, me qëllim edhe motivimin e brezit të ri për mënyrën sesi arrihet suksesi, për punën dhe vullnetin për të kontribuar në shoqëri.

Ai u shpreh për ATSH-në, se fillimisht si histori të parë do të prezantohet ajo e Mario Dedivanovic, make-up artistit të Kim Kardashian, më pas Emina Cunmulaj, modeles shqiptare me famë botërore e kështu me rradhë figura të tjera të njohur.

Deni Hoxha është i njohur për publikun shqiptar, pasi kur ishte vetëm 17 vjeç themeloi organizatën “Team Albanians”, me qëllim promovimin e vlerave dhe turizmit shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë.

Në kohën kur Barak Obama ishte në krye të shtëpisë së Bardhë, Deni ishte një nga 4 studentët e përzgjedhur nga gjithë SHBA-ja, i cili foli rreth studimeve në Jordani përpara Departamentit të Shtetit. Po ashtu, studenti shqiptar në SHBA themeloi rrjetin e studenteve shqiptarë në Harvard në 2017.