Deri 1 milion lekë për ata që kultivojnë bimë mjekësore, çfarë parashikon skema e subvencionit

24

Shteti do të vijojë të subvencionojë fermerët për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me bimë aromatike mjekësore.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022, ofron financim në vlerën 60 000 lekë, për fermerë individualë ose grup-fermerësh, që kultivojnë bimë mjekësore e aromatike në 1 ha sipërfaqe toke, por jo më shumë se 1 milion lekë për aplikant.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Europës.

Në këto kushte vendi ynë kryeson në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore dhe mbështetja konsiston në ruajtjen e këtij trendi.

Shqipëria është një vend i pasur me bimë mjekësore dhe është aktor kryesor në tregjet ndërkombëtare. Bimë mjekësore dhe aromatike gjenden në sasi të konsiderueshme në vendin tonë dhe krijojnë mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale të vendit.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneroi mbi 19 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor. Ky sektor gjeneron punësim të qëndrueshëm dhe është burim ekonomik për shumë familje në zonat rurale të vendit.