Dhia e egër shfaqet në tufa në Malin e Tomorit

20

Kamerat kurth të vendosura nga specialistët e Administratës së Zonës së Mbrojtur Berat, kanë fiksuar dhinë e egër, një nga kafshët më të rralla në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit.

Kamerat kurth të vendosura nga specialistët pasionantë të zonave të mbrojtura që na kënaqin sytë dhe na shuajnë kureshtjen për jetën e gjallesave në habitatet e tyre natyrore, këtë herë sjellin nga Parku Kombëtar i Malit të Tomorit pamjet e dhisë së egër, specie shumë e çmuar, që shfaqet në tufa dhe me imazhe kaq të qarta.

Moratoriumi i gjuetisë në Shqipëri ka bërë që të shtohen numri i dhive të egra në Shqipëri dhe kryesisht në këtë park.

Dhia e egër ballkanike – (Rupicapra rupicapra) i takon klasës së gjitarëve (Mammalia) në radhën e çiftthundrakëve (Artiodactyla). Mund të arrijë lartësi deri në 80 cm, dhe gjatësi deri në 130 cm, ndërsa disa meshkuj më të fortë arrijnë peshë edhe deri në 40 kg. Femrat në krahasim me meshkujt janë më të vogla dhe me peshë më të vogël. Ushqimi i saj përbëhet prej bimëve barishtore, gjethet e reja të shkurreve të larta malore, manaferrat dhe mjedrat.

Në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit jeton në ekosisteme natyrore dhe gjysmë natyrore me bar të thatë dhe në habitate shkëmbore. Dhia e egër është e mbrojtur në dokumentin Evropian “Direktiva për vendbanime II/IV”.

/ata.gov.al