Dhjetë urdhëresat e qytetarisë

334

1. Respekto dhe mbro jetën e çdo njeriu! (Çdo person ka vlerë, dinjitet, liri dhe të drejta të patjetërsueshme).
2. Trajto mirë kafshët dhe tërë gjallesat! (Njeriu ka përgjegjësinë e kujdestarisë mbi gjënë e gjallë).
3. Kujdesu në maksimum për ambientin! (Planeti i është dhënë njeriut në përdorim, jo në pronësi. Ruaje për pasardhësit e tu).
4. Mbro të drejtat, por përmbush edhe detyrimet! (Protesto kundër shkeljeve, por mos bëj vetë shkelje).
5. Kalo te vizat e bardha, por ndalo kur ndizet drita e kuqe e semaforit! (Këmbësorët, biçiklistët, motorristët, shoferët dhe policët, të gjithë duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit).
6. Hidhi mbeturinat në vendin e duhur! (Koshi/ kazani i plehrave, jo rruga apo ashensori, është vendi i duhur. Aty hidhet edhe çamçakëzi si dhe jashtëqitja e qenve, maceve, etj.).
7. Mos pështyj në rrugë! (Mbaj shami letre me vete për gëlbazat dhe hundët).
8. Ndihmo njerëzit në nevojë! (Në veçanti trego dashamirësi për të varfërit, të sëmurët, të dobëtit, të vegjëlit, të moshuarit, jetimët, vejushat dhe të panjohurit).
9. Minimizo zhurmat! (Mos bërtit, mos përdor fjalë të pahijshme, mos i bjer borisë, mos luaj muzikë me volumin lart, mos përdor vegla pune të zhurmshme në orare të papërshtatshme).
10. Nuk duhet të kesh smirë as të reagosh negativisht ndaj postimeve të miqve në media sociale! (Nëse nuk ke diçka të mirë për të thënë është më mirë të heshtësh. Mos harro: në media sociale kontaktet i ke pranuar me kërkesën për të qenë miq!).

Nga Zefjan Nikolla