Disa të dhëna interesante për qumështin në Shqipëri dhe nënproduktet e tij

100

Agjencia Europiane e Statistikave ka publikuar disa të dhëna të zgjeruara për prodhimin e qumështit në Bashkimin Europian si dhe në disa vende të tjera të kontinentit të vjetër, përfshirë Shqipërinë. Këto të dhëna tregojnë jo vetëm totalin e qumështit dhe produkteve të tij të prodhuar në një vit, por edhe se si përdoret më pas ky qumësht.

Në total, Shqipëria numëron rreth 44350 tonë produkte qumështi, pra ku përfshihet djathi, kosi, qumështi i pijshëm, gjalpi, etj. Peshën më të madhe në vendin tonë e zë kosi, me rreth 15 mijë tonelata, më pas ndjek djathi me 14700 tonelata, si dhe qumështi i pijshëm me rreth 13400 tonelata.

Gjalpi zë vetëm 880 tonelata dhe kremi për konsum të drejtpërdrejtë vetëm 270 tonelata. Sa i përket qumështit të plotë, Shqipëria prodhon, sipas eurostat 131 mijë tonelata në vit, pjesa dërrmuese prej të cilës, ose më saktë 71.7%, shkon për të bërë djathë.

Në Bashkimin Europian kjo normë fiksohet në vetëm 37%, pra thuajse gjysma. Pra, rreth 94 mijë tonelata qumësht në vit shkojnë vetëm për të prodhuar rreth 14700 ton djathë. Rreth 14% e qumështit të prodhuar në vit në Shqipëri ndërkohë, shkon për të prodhuar gjalp, 7% për të prodhuar kos, e ndërkohë vetëm 6% mbetet për t`u pirë.