Dita Botërore e Breshkave, përpjekje për mbrojtjen nga zhdukja

2

23 maji njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Breshkave.

Fillimisht kjo ditë u kremtua në vitin 2000, pas përpjekjeve dhe përkushtimit të ambientalistëve. Çdo vit që prej 2000-ës, ata organizojnë aktivitete për mbledhjen e fondeve dhe vazhdimisht përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin për gjendjen e vështirë të këtyre krijesave.

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit kërkojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut në lidhje me nevojën për të mbrojtur breshkat dhe habitatet e tyre që po pakësohen me shpejtësi.

Këta zvarranikë janë komponentë thelbësorë të sistemit natyror të Tokës pasi ata mund të jetojnë dhe të zhvillohen në një sërë ekosistemesh të ndryshme në të gjithë botën.

Sipas ATR, një organizatë amerikane që mbron këtë specie,  rreth 61% e breshkave në mbarë botën janë të kërcënuara ose tashmë të zhdukura.

Shitësit ambulantë që shesin breshka apo dyqanet e kafshëve shtëpiake, shihen prej ambientalistëve si mjet shfrytëzimi i këtyre qenieve magjepsëse të cilat nuk duhet të konsiderohen si lojëra fëmijësh.

Në vendin tonë ekziston një qendër e rikuperimit dhe rehabilitimit të breshkave të detit, në qytetin e Vlorës.

Kjo qendër shërben për trajtimin e rasteve të breshkave të dëmtuara, si edhe promovimin e detit Adriatik dhe Jon si habitate me rëndësi për këto lloj specie detare. Bregdeti shqiptar nuk është vetëm një pasuri për turizmin e detit dhe të rërës, por edhe një mundësi e shkëlqyer për shtimin e faunës së rrallë si breshkat e detit.

/ata.gov.al