#DitaBotëroreeLibrit – 10 arsye pse duhet të lexosh çdo ditë

45

Libri është padyshim një mjet i jashtëzakonshëm për njëriun. Përmes tij marrim njohuri të reja, nxisim krijimtarinë, largojmë stresin dhe ushqejmë mendjen.

Në Ditën botërore të Librit, ne duam të nxisim sa më shumë leximin. Më poshtë gjeni disa nga përfitimet që vijnë nga të lexuarit.

Stimulon mendjen

Studimet kanë treguar se stimulimi i mendjes ndihmon në parandalimin dhe ngadalësimin e zhvillimit të sëmundjeve si Alzhajmeri dhe demenca e pleqërisë. Por ta mbash trurin aktiv dhe të angazhuar ndihmon dhe mos të pësosh ndonjë goditje. Edhe truri ka nevojë për stërvitje, si çdo muskul i trupit.

Redukton stresin

Nuk ka rëndësi se sa stres ke akumuluar nga puna apo problemet e ditës, kur ke përpara një libër hyn në një tjetër dimension, si në një botë paralele, ku harron çdo gjë. Një roman i shkruar mirë të çon në një tjetër realitet.

Përmirëson njohuritë

Çfarëdolloj gjëje që lexon i shtohet bagazhit kulturor dhe të vjen në ndihmë atëherë kur s’e pret. Sa më shumë informacion merr, aq më të lehtë e ke t’i përballosh sfidat që jeta ka rezervuar. Leximi është një metodë shumë e mirë për të ushqyer mendimet.

Pasuron fjalorin

Një ndër avantazhet më të rëndësishme. Sa më shumë lexon, aq më shumë përmirësohet mënyra e të folurit dhe të komunikuarit. Të shprehurit mirë dhe në mënyrë të artikuluar mund të vijë në ndihmë për punën. Dhe të folurit me siguri përpara një personi me rëndësi rrit vetëvlerësimin.

Përmirëson kujtesën

Kur lexon një libër duhet të mbash mend një sërë personazhesh, prapaskenat, ambiciet si dhe historitë e tyre, sepse detajet ndërthuren me ngjarjen. Edhe kujtesa ka një limit, por truri është diçka e mrekullueshme, pasi mund të kujtojë shumë detaje.

Forcon kapacitetin analitik të mendimit

Ke lexuar ndonjëherë një roman të verdhë, duke e zgjidhur enigmën më parë se të kesh mbaruar librin? Aftësia për të analizuar detajet hyn në punë për të kritikuar materialin. Kjo nëse është shkruar në mënyrë të pranueshme, nëse personazhet janë përshkruar dhe vendosur në mënyrë të përshtatshme, nëse ngjarja është e rrjedhshme…

Përmirëson nivelin e përqendrimit dhe vëmendjes

Në botën ku jetojmë, tërësisht të influencuar nga interneti, vëmendja shkon në drejtime të ndryshme. Në vetëm 5 minuta çdokush nga ne bën shumë veprime, dërgon e-mail, organizon punën, komunikon në celular dhe ndërvepron me kolegët. Gjithë këto lëvizje provojnë një lloj stresi, duke ulur produktivitetin. Kur lexon një libër e gjithë vëmendja është e përqendruar te historia, përfshihesh në detaje dhe çdo gjë tjetër mbetet jashtë.

Përmirëson aftësitë në të shkruar

Kjo pikë është në të njëjtën linjë me pasurimin e fjalorit. Mënyra e mirë e të shkruarit në punë apo kudo është e ndikuar edhe nga pena e autorëve që lexon, që në mënyrë të pashmangshme ndikon në përditshmërinë personale.

Të qetëson

Përveç qetësisë që të sjell leximi i një libri, historia që lexon mund të të bëjë të ndjesh paqe shpirtërore dhe qetësi. Sipas studimeve, të lexosh materiale spirituale të jep qetësi dhe ul presionin e gjakut, duke të dhënë një ndjenjë relaksimi.

Është dhe një lloj argëtimi jo i shtrenjtë

Për secilin tip personi ka një libër që i përshtatet. Largohu pak nga interneti, hap një libër dhe mbushe sërish shpirtin me krijimtari. Nëse lexon një libër në javë për një vit rresht të paktën do të kursesh edhe paratë e abonimit të internetit.