Divjaka, destinacioni i rreth 500 mijë vizitorëve vitin e kaluar

59

Parku Kombëtar i Divjakës ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve edhe në ditët e para të janarit. Gjatë fundjavës që lamë pas vizitorë të shumtë frekuentuan parkun dhe morën informacionin e duhur në Qendrën e Vizitorëve.

Vizitorët eksploruan gjithashtu nga afër natyrën, e cila është fantastike në çdo stinë të vitit në këtë park.

Vetëm vitin e kaluar ku park u vizitua nga rreth 500 mijë vizitorë, nga të cilët 46 000 të huaj. Turistët e huaj që kanë frekuentuar parkun janë kryesisht nga Polonia, Çekia, Franca etj, të cilat gjatë verës frekuentojnë edhe plazhin, ndërsa në vjeshtë dhe dimër shijojnë bukuritë e natyrës që ofron ky park.

Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara të vendit për turizmin detar, natyror, të peizazhit, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe të historisë. Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.