Divjakë-Karavasta, e preferuara e 208 mijë turistëve

28

Parku kombëtar Divjakë-Karavasta, 90 km larg nga Tirana, vitet e fundit është destinacioni i preferuar i turistëve vendas e të huaj.

Divjakë-Karavasta është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier, Fotjon Prence tha për ATSH-në se “ nga janari deri në fund të korrikut parku u vizitua nga 208 000 turistë, nga të cilët  80 000 janë të huaj”.

Sipas tij, gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Prence u shpreh se “gjatë vizitës që mund të zhvillosh në park mund të zhvillosh disa lloje aktivitetesh përveçse të njihesh me informacionin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta në Qendrën e Vizitorëve si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve,  piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta, kajak dhe vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare”.

“Me dhjetëra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që vizitojnë parkun, i cili është i mbrojtur më së miri nga moratoriumi i gjuetisë dhe pylli i dendur”, tha Prence.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.

Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Divjakë-Karavastasë, kanë  tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park.

Me katër kulla panoramike, varka për shëtitje paralel me pyllin e gjelbëruar dhe me pisha mesdhetare, larmishmëri habitatesh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Zona e Oaz-it faunistik ”, Laguna e Karavastasë, ku jeton edhe riprodhohet simboli i Parkut, i vetmi vend folezimi në Shqipëri Pelikani Kaçurrel.

Ky park shquhet për popullatë të shumëllojshme floristike e faunistike, endemike, subendemike, të rralla,të kërcënuara e të rrezikuara në zhdukje. Pylli natyror mesdhetar, me pishë të egër dhe të butë është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë në gjendje natyrore.

Peizazhi mahnitës është një nga karakteristikat spikatëse të këtij parku të cilat ndikojnë pozitivisht në ekonominë vendase dhe si portë për zhvillimin e turizmit.

Në park janë evidentuar rreth 25 lloje gjitarësh,rreth 29 lloje zvarranikesh dhe amfibesh (duke përfshirë edhe breshkën e detit ) si dhe rreth 260 lloje shpendësh. Gjithashtu flora përbëhet nga rreth 250 lloje bimësh. Qendra e parkut ndodhet pranë plazhit të Divjakës, afërsisht 1.2 km në jugperëndim të hyrjes së parkut.

Plazhi i Divjakës është një rrip prej rëre të bardhë që kufizohet me një pyll pishash dhe përbën një destinacion të kërkuar plazhi për mijëra turistë.

/ata.gov.al