“Doing Business”: Shqipëria vend i sigurtë për investime, përmirësohet 45 vende në 5 vjet

147

Të investosh në Shqipëri po bëhet gjithmonë e më e lehtë dhe më e sigurtë. Ky është përfundimi i “Doing Business”, raportit të përpiluar nga Banka Botërore, që ka përmirësuar përsëri vlerësimin për klimën e biznesit në vendin tonë.

Sipas raportit të “Doing Business” 2018, të publikuar ditën e sotme, reformat e ndërmarra përgjatë të gjithë këtij viti kanë dhënë një impakt të drejtëpërdrejtë.

Ndryshimet ligjore në fushën e përmbarimit, amendimi i kodit të procedurave civile, thjeshtimi i procedurave për mosmarrëveshjet/ankesat janë vlerësuar nga Banka Botërore si disa nga ndryshimet më pozitive, krahasuar me një vit më parë.

Reforma për digjitalizimin, gjithashtu duket se ka dhënë rezultat, pasi shumë burokraci dhe procedura që kërkonin kohë dhe kishin një kosto financiare për biznesin, janë hequr falë automatizimit.

Duke u pozicionuar e 63-ta në botë, Shqipëria lë pas disa vende të rajonit, ndërsa në rang europian vlerësohemi si një vend mesatar përsa i përket lehtësirave të të bërit biznes.

Shqipëria lë pas Greqinë, Ukrainën, Maltën, Bosnjën, ndersa renditjen e kryesojne Zelanda e Re, Singapori dhe Danimarka. Ne top 10 janë edhe SHBA, Britania e Madhe, Norvegjia dhe Maqedonia e cila renditet e 10.

Në 5 vitet e fundit, Shqipëria është një prej vendeve që ka bërë përparimin më të madh në nivel botëror, duke u përmirësuar plot 45 vende, nga pozicioni i 108 në botë që mbanim në 2013-n.