Doni të pajiseni me pasaportë biometrike? Ja si të aplikoni tek e-Albania (Procedura)

130

Ministria e Brendshme publikoi të enjten mënyrën se si aplikohet online për rinovimin apo aplikimin për pasaportë biometrike, ndërsa sqaroi se për kartën e identitetit duhet rezervuar takimi online.

Sipas Ministrisë së Brendshme aplikimi tek e-Albania bëhet në pak hapa. Fillimisht identifikohet përdoruesi, personi që aplikon për rinovim apo pasaportë të re. Më tej, klikohet tek “Aplikim i formularit për lëshim ose rinovim pasaporte”, në të cilin zgjedhim “përdor”. Përzgjidhet lloji aplikimit, “aplikim për veten”, “aplikim për fëmijë nën 16 vjeç”, ose “Aplikim për personin nën kujdestari apo me prokurë”.

Pas kësaj, hapi tjetër është plotësimi i fushave të kërkuara në formular, ndërsa kërkohet dhe ngarkimi i dokumentacionit shoqërues dhe për të finalizuar aplikimin e klikohet “Dërgo”.

Pas finalizimit të aplikimit personi që aplikon njoftohet me sms dhe e-mail për miratimin ose jo të procedurës së kërkuar ligjore nga policia. Pjesë e mesazhit të miratimit do jetë edhe adresa ku duhet të rezervoni datën dhe orën për t’u paraqitur fizikisht për të vijuar aplikimin. Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 1-3 për procedurë emergjente dhe 1-8 ditë për aplikim normal.

Ministria e Brendshme sqaron se për kartë identiteti, duhet rezervuar vetëm dita e aplikimit për t’u paraqitur fizikisht pranë zyrave përkatëse.