Doni të punoni në polici? Rihapen aplikimet për 300 vende për “Patrullë të Përgjithshme”

14

Rihapen aplikimet për 300 vende, për “Patrullë të Përgjithshme” në Kolegjin Profesional, në Akademinë e Sigurisë, me qëllim plotësimin e vendeve të lira në 9 drejtori vendore të Policisë.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, janë rihapur aplikimet për plotësimin e vendeve të lira, në drejtoritë vendore të Policisë në qarqet: Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Dibër.

“Kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, dhe janë të ndara sipas nevojave organike të Drejtorive Vendore të Policisë.  Aplikimet janë të hapura deri në datën 15.03.2023. Secili nga aplikantët duhet të dorëzojë dokumentacionin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, ku ai ka vendbanimin e përhershëm” thekson Policia.

“Theksojmë faktin se aplikimet e bëra nga data 15.11.2022 deri në datën 30.12.2022, pranë Drejtorive Vendore të Policisë, janë të vlefshme, dhe ata aplikantë që kanë kaluar fazën e verifikimit të dokumentacionit, do të vijojnë me fazën e radhës, atë të testimit teorik, në datën që do njoftohen nga strukturat e burimeve njerëzore në DVP-në ku kanë aplikuar. Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë”, thuhet në njoftim.