Doni të pushoni në një plazh pa ndërtime dhe me hapësira pa fund? Ja “parajsa” e fshehur e veriut

67

Plazhi i Tales, vetëm 7 km larg rrugës nacionale Tiranë – Lezhë frekuentohet jo vetëm nga pushuesit vendas por edhe nga ata nga Kosova, të cilët e kanë zbuluar si destinacion të ri, familjar dhe të qetë për këtë sezon veror.

Distanca e shkurtër me kryeqytetin dhe infrastruktura rrugore e afrojnë më shumë këtë zonë turistike me pushuesit.

Plazhi i Tales shtrihet në një vijë bregdetare rreth 7 kilometër me një gjerësi rëre që shkon nga 100-në 150 metër.

Pastërtia e ujit dhe rërës, hapësirat e bollshme publike dhe çmimet e favorshme janë arsyet pse pushuesit po e kërkojnë plazhin e Tales gjithnjë e më shumë.

Ky plazh shtrihet nga cepi i lagunave Kune – Vain deri në fillim të deltës së lumit Mat dhe vlerësohet si një plazh familjar për qetësinë që ofron.

Nga një zonë e virgjër, gati-gati e panjohur për shumëkënd, vitet e fundit plazhi i Tales ka filluar të frekuentohet dendur nga pushues edhe përtej Shqipërisë.

Ndërtimet janë fare të rralla, po edhe ndonjë që ngre krye në këtë zonë pak të njohur është realizuar larg bregut, pa e cenuar hapësirën e rërës.

Në jug të zonës gjendet plazhi Tale 2, ende i pazbuluar nga shumica e turistëve. Ngjyra e rërës është e zezë dhe kjo tregon për vlerat kuruese të saj dhe faktin e mosshfrytëzimit.

Akoma më në jug, delta e lumit Mat prezanton një ambient natyror mjaft të këndshëm dhe atraktiv dhe të përshtatshëm për sportet e aventurës.