DPSHTRR, simpozium me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike

11

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe RETRO Albania do të organizojnë për herë të parë në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA), simpoziumin “Bashkëpunim dhe partneritet me Qeverinë dhe institucionet e tjera”.

Në kuadër të simpoziumit organizohet një event i madh RETRO në sheshin “Skënderbej”.

Përzgjedhja e Shqipërisë si vendi mikpritës në organizimin e këtij simpoziumi, vjen pak muaj pas anëtarësimit të shumëpritur të RETRO Albania në FIVA, në nëntor 2022.

Tashmë Shqipëria konsiderohet si një shembull për politikat lehtësuese për importin dhe regjistrimin e mjeteve që plotësojnë kriteret për statusin RETRO, ku mjetet që fitojnë këtë status në Shqipëri përfitojnë 90 ditë qarkullim në vit e pa detyrime taksash për mjetin, duke nxitur koleksionistët të pasurojnë regjistrin e mjeteve RETRO si një vlerë e trashëgimisë kulturore dhe historisë së automotorizimit që do të flasë ndër breza.

Ky event do të bashkojë ekspertë, grupe interesi, dhe pjesëmarrës nga e gjithë bota për të diskutuar rëndësinë e politikave dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe institucionet e tjera për të ruajtur të ardhmen e mjeteve historike, si pjesë e trashëgimisë kulturore.

Krahas kësaj, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të vizitojnë në ambientet e Hotel Plaza, koleksione automotive në sallën hyrëse dhe në sallën ku do zhvillohet simpoziumi, në trajtë retrospektive e rikthimi në nostalgji.

/ata.gov.al