Drafti final i amnistisë: Si do falen gjobat e detyrimet dhe taksat e makinave që do hiqen nga qarkullimi

307

Ministria e Financave ka hartuar draftin final për “Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore”. Ky ligj parashikon pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të papaguara, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, pas fshirjes së  detyrimeve tatimore të papaguara.

Për detyrimet tatimore, ashtu siç ka deklaruar dhe ministri i financave Ahmetaj së fundmi  do të fshihen të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2010.

Nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 do të falen gjobat me kusht që të paguhet detyrimi i plotë.

Falje të gjobave do të ketë edhe pas vitit 2014, por vetëm për dy kategori. Së pari gjobat që u vunë në qershor të vitit të kaluar nga sistemi për vonesa të deklarimit të administratorit, por edhe vonesat në deklarimin e  punonjësve. Një pjesë e bizneseve që kanë paguar këto gjoba pasi nuk arrinin të merrnin dot vërtetime mund të kërkojnë që ato të zbriten nga detyrimet që kanë për të paguar.

Së dyti, do të falen gjobat për kompanitë e kasave, që u vunë gjatë periudhës së aksionit anti-informalitet për vonesa në furnizimin me kasa fiskale.

Heqja nga qarkullimi e makinave

Drafti parashikon që, në përputhje me përcaktimet sipas këtij neni, hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.

Heqja nga qarkullimi e ketyre mjeteve bëhet pasi fshihen detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Subjektet/personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të paraqiten pranë DPSHTRR për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.
Personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat  dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë  detyrimet për periudhën  janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatevonesave të periudhes janar 2011 deri me dhjetor 2014  të cilat fshihen.
Nëse brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë, heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të tij.
Lista e mjeteve me targat përkatëse të çrregjistruara sipas këtij  ligji i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit për bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.

Burimi: Revista Monitor