Drejt Europës, Banka e Shqipërisë publikon dy monedhat e veçanta

161

Banka e Shqipërisë ka publikuar sot, foto të 2 monedhave numizmatike prej argjendi, në përkujtim të Ditës së Europës.

Në vitin 2001, për të nderuar përpjekjet dhe aspiratat e vendit tonë në rrugën drejt familjes së përbashkët evropiane, Banka e Shqipërisë ka prodhuar 2 monedha numizmatike prej argjendi, me temën “Integrimi i Shqipërisë në Europë”.

Dita e Europës, e mbajtur çdo vit më 9 Maj, është caktuar nga Bashkimi Europian për të festuar paqen, prosperitetin dhe unitetin e arritur brenda Europës.

Data shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schuman-it. Në vitin 1950, në një fjalim të mbajtur në Paris, Robert Schuman, ministri i Jashtëm francez, shpalosi idenë e tij për një formë të re bashkëpunimi politik në Europë, e cila do të shmangte luftën mes kombeve të saj. Vizioni i tij ishte krijimi i një institucioni europian që do të bashkonte dhe menaxhonte prodhimin e qymyrit dhe çelikut.

Traktati që krijoi një organizëm të tillë (Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut) u nënshkrua vetëm një vit më vonë, më 18 prill 1951, në Paris. Propozimi i Schuman-it konsiderohet të jetë gjeneza e atij që ne sot e njohim si Bashkimi Europian.