Drejt përfundimit “Ndërtimi i argjinaturave për mbrojtjen nga lumi Vjosë i qendrave të banuara në Novoselë”

44

Komuna Novoselë ndodhet në Bashkinë Vlorë, dhe është një nga Njësitë Administrative më të rëndësishme me një popullsi prej 17,222 banorë. Një zonë e cila ndodhet vetëm 15 minuta larg qytetit të Vlorës dhe pranë zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë por edhe ku shtrihet lumi Vjosë më i madhi në jug të Shqipërisë. Për nga pozicioni gjeografik zona ka një rëndësi të veçantë por edhe potencial për të krijuar një situatë të favorshme për të zhvilluar zonën dhe kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm dhe për ta mbrojtur atë.

Pas prurjeve tejet të larta në periudhën e ftohtë dhe më të lagësht të vitit në fund të 2017 u shkaktuan përmbytje të mëdha në zonë dhe rehabilitimi i habitateve të degraduara si pasojë e erozionit u bë i domosdoshëm rindërtimi i argjinaturave nga të dy anët e brigjeve të Lumit Vjosa për të eleminuar vërshimin e tij dhe përmbytjen e mijëra hektarëve tokë. Gjithashtu gjatë kryerjes së kontrollit në terren, u evidentuan dëme në trupin e argjinaturës (çarje të shumta) dhe panelet mbrojtës të saj (lëvizje nga niveli i ujit të lumit Vjosa). Dëmtimet u konstatuan në të dyja anët e Lumit Vjosë nga qendra e banimit Mifol deri tek ura e re e autostradës në aksin Levan-Vlorë.

Në këtë kuadër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në shërbim të komunitetit me mbështetjen nga Qeveria Shqiptare është duke përfunduar punimet për ndërtimin e argjinaturave pranë lumit Vjosë, duke krijuar siguri për banorët në ditët e ftohta me reshje të shtuara dhe zbutjen e dëmtimeve nga faktorët mjedisore si dhe mbrojtjen e mjedisit. Me realizimin e këtij projekti bëhet e mundur mbrojtja e biodiversitetit, vlerave mjedisore dhe peizazhit, por edhe përmirësimi dhe integrimi i zonës për zhvillimin e strukturave për përfitime ekonomike në këtë zonë. Veçanërisht zona ka vlera të mëdha për aktivitet ekonomik në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, të cilat krijojnë hapësirë për zhvillimin e ekoturizmit dhe agroturizmit, duke sjellë përmirësim të jetesës për banorët por edhe e shquajnë atë si destinacion turistik.